Inseminim Intrauterin apo Fertilizim In Vitro?

Ndër teknikat e riprodhimit të asistuar, Inseminimi Intrauterin (IUI) dhe Fertilizimi In Vitro (IVF) janë dy teknikat më të përdorurara. Por cila është ajo që duhet në rastin tone? Kjo është një dilemë e cila qëndron përballë shumë cifteve që kanë vështirësi në arritjen e shtatzanisë. Dallimi i diferencës mes IUI dhe IVF do të ishte me shumë rëndësi pasi ju bën juve të bashkëpunoni në mënyrë më harmonike me ekipin mjeksor. Vetëm mjeku specialist në trajtimin e infertilitetit & në metodat e riprodhimit të asistuar duhet të japë indikacionin për këto procedura.. Ja cfarë duhet të dini:

Kompleksiteti i proçedurës


IUI është një procedurë jo invazive, relativisht e thjeshtë dhe me më pak shpenzime. Ciftet që kërkojnë trajtim për infertilitet shpesh duan të fillojnë me IUI për këto arsye. IUI përfshin injektimin e spermës së përpunuar të partnerit në brendësi të mitrës përreth momentit të ovulacionit. Zakonisht IUI kryhet i kombinuar me një stimulim ovulacioni, por mund të kryhet edhe në një cikël të pastimuluar (natural cycle).

IVF, nga ana tjetër, është një proçes i cili përbëhet nga disa etapa dhe kërkon më shumë se një proçedurë. Fillimisht ovaret (vezoret) stimulohen duke përdorur disa medikamente stimuluese të ovulacionit (tableta dhe / ose injeksione), më pas femra i nënshtrohet aspirimit të ovociteve (mbledhjes së vezëve), një procedurë kjo që kryhet brenda ditës dhe kërkon një anestezi të lehtë (sedacion). Vezët e aspiruara dhe sperma bashkohen në laborator nga embriologu dhe si rezultat i këtij bashkimi kemi krijimin e embrioneve. Pas krijimit të embrioneve, ata ruhen në laborator 3 deri në 5 ditë dhe më pas ata transferohen direkt në mitër. Pra IVF, kërkon përveç mjekut gjinekolog edhe praninë e një embriologu dhe të një laboratori kompleks dhe modern i cili të jetë në gjendje të kryejë edhe rritjen e embrioneve. Nqs kërkohet ngrirja e embrioneve apo edhe analiza e tyre gjenetike, atëherë shkalla e teknologjisë së nevoshme është akoma më e lartë.

Shpesh herë, në mënyrë të gabuar, pacientja rekomandohet për IUI ndërkohë që duhet të rekomandohet për IVF. Pavarësisht se IUI ka një kosto shumë më të ulët se sa IVF, kur rekomandohet pa qenë e nevojshme nuk sjell rritje të shanseve të sukses dhe shndërrohet në shpenzim fianciar të pajustifikuar.

Shanset për sukses


Përpara se të diskutojmë shanset në veçanti për secilën proçedurë, duhet të kemi parasysh se suksesi lidhet ngushtë me moshen e femrës, shkakun e infertilitetit dhe medikamentet e përdorura.

  • Me IUI, femrat nën moshën 35 vjeçare kanë 13 % shanse për të patur një shtatzani me një cikël trajtimi.
  • Me një cikël IVF me vezët e saj, shanset për sukses variojnë nga 50 – 60 % për femrat që janë nën moshën 35 vjeçare. Kjo shifër suksesi mund të arrijnë edhe 60 – 70% në rast se embrionet analizohen dhe selektohen gjenetikisht (IVF me PGT).

Faktori kryesor që ndikon në suksesin e IUI dhe IVF është mosha e femrës. Pas moshës 35 vjeçare shanset për sukses të IUI bien ndjeshëm. Ndërkohe që për IVF, shanset për sukses (me vezët e tyre) bien ndjeshëm pas moshës 40 vjeçare. Është kjo arsyeja që kur kemi një moshë > 35 vjec të femrës, dëmtime të tubave te Fallopit dhe probleme të spermës, nuk rekomandohet IUI pasi përfitimet janë shumë modeste.

Koha dhe Shpenzimet


Faktorët kohë dhe para kanë shumë rëndësi nqs ndodheni përpara dilemës IUI apo IVF. Një cikël i vetëm IUI është shumë më i thjeshtë se sa një cikël IVF, dhe për rjedhojë më pak i kushtueshëm. Dhe nqs do të kishim një shtatzani me IUI, që me ciklin e parë, atëherë kjo do të ishte rruga më e shkurtër dhe më e lirë për të sjellë në shtëpi një bebe.

Për fat të keq nuk ndodh kështu në shumicën e rasteve. Shumë çifteve mund tju duhen qw të ndjekin 3 apo 4 cikle IUI përpara se të kenë të njëjtin shans për sukses me atë të një cikli IVF.

Në një krahasim të shpejtë, kostoja e një cikli IUI është afërsisht sa 1/10 e kostos së një cikli IVF, një fakt ky shumë i rëndësishëm për shumë pacientë, sidomos në vende si Shqipëria ku trajtimet për infertilitet nuk rimbursohen nga shteti. Por kostot mund të mbivendosen në rastet se kemi të bëjmë me disa cikle IUI njëri pas tjetrit. Në varësi të diagnozës dhe shanseve për të arritur një shtatzani përmes IUI, mund të jetë më kost – efektive (me më tepër leverdi) kalimi direkt në një cikël IVF se sa të tentohen disa cikle rresht IUI.

Për fat të keq, edhe koha me efektin që ka ajo mbi moshën dhe rezervën e vezëve të femrës mund ti komplikojë llogaritë e çiftit. A duhet të shpenzojmë më pak lekë dhe më shumë kohë duke kaluar në rugën e IUI, apo duhet më mirë të harxhojmë më pak kohë dhe më shumë para duke kaluar përmes rrugës së IVF? Për shkak të diferencës në shanse suksesi mes IUI dhe IVF, disa paciente, sidomos ato pas moshës 35 – 37 vjeçare do të mund të arrijnë më shpejt shtatzaninë duke zgjedhur IVF se sa duke kaluar në disa cikle IUI.

Rreziku i shtatzanive multiple


Shtatzania multiple shoqërohet me një rrezik më të rritur për komplikacione të lidhura me shëndetin e nënës dhe / ose të bebeve. Shumë femra që zgjedhin rrugën e IUI, kalojnë përmes stimulimit të ovulacionit në ciklin që do të kryejnë IUI. Kjo bën që të kemi ovulacion të më shumë se 1 veze (2, 3 apo 4) dhe kjo kuptohet që sjell edhe më shumë probabilitet për të patur shtatzani multiple (binjake apo trinjakë). Sado kontroll ekografik të kryejmë ky rrezik nuk mund të shmanget gjithnjë në rastin e IUI.

Në këtë drejtim, IVF ka avantazh ndaj IUI pasi është plotësisht e kontrollueshme se sa embrione do të mund të transferohen. Në shumicën e rasteve transferohen një apo dy embrione. Tendencat e viteve të fundit, aq më tepër edhe futja gjithnjë e më shumë e analizës gjenetike të embrioneve (PGT),  me seleksionin e embrioneve gjenetikisht normale, janë drejt transferimit të një embrioni të vetëm por gjenetikisht normal. Embrionet e tjera të tepërta të formuara në një cikël IVF mund të ruhen në krioprezervim (ngrirje) duke bërë të mundur trabsferimin e tyre në një moment të dytë sipas kërkesave dhe planifikimit familjar të pacientes.

Pavarësisht se cilën do nga teknikat që ju do të zgjidhni, përpara se të filloni trajtimin duhet të gjeni mjekun dhe klinikën e duhur në të cilën ju do të mund të shtroni pyetjet tuaja dhe të merrni përgjigjet përkatëse. Cilësia e informacionit ju ndihmon në marrjen e vendimit të duhur i cili do të përshtatet më shumë me rastin tuaj. Të kuptuarit se cilët janë shkaqet që shtatzania po vonon, ju ndihmon ju në zgjedhjen e planit të duhur për trajtim.

Categories : Blogu i fertilitetit
error: Content is protected !!