Pavarësisht se shumë individë obezë nuk kanë probleme me fertilitetin, prej kohësh është konstatuar se obeziteti ka një ndikim të rëndësishëm në fertilitet. E cuditshme është se megjithëse prej kohësh propagandohet fakti se aktiviteti fizik ka një ndikim “mbrojtës” ndërkohë që jeta sedentare ka një ndikim negativ mbi mbi rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kardio-vaskulare, por shumë pak flitet për ndikimin e tyre mbi fertilitetin.
Rekomandimet britanike nga NICE (National Institute for Health and Care Excellence) janë se femrat me një indeks të masës trupore (BMI – Body Mass Index) ≥ 30 duhet të informohen se do të kërkojnë më shumë kohë për të arritur shtatzaninë spontanisht.
Pak a shumë në të njëjtën linjë janë edhe rekomandimet nga ana tjetër e Atlantikut. Më konkretisht; Shoqata Amerikane e Mjeksisë Riprodhuese (ASRM –American Society for Reproductive Medicine) rekomandon që femrat që janë duke kërkuar një shtatzani të menaxhojnë peshën e tyre përmes dietës ose aktivitetit fizik me qëllim që të arrijnë në një BMI < 35.
Një studim nga Australia, pasi analizoi mbi 6000 femra në të 20-at të cilat kërkonin një shtatzani, evidentoi se femrat me një BMI normal dhe që kishin një aktivitet fizik të moderuar ose aktiv ishin shumë më fertile se sa femrat obeze. Vetë aktiviteti fizik duket se e humbet disi efektin “mbrojtës” në prani të obezitetit. Kjo do të thotë se ndikimi që ka mbajtja e një peshë normale (një gjë kjo e cila arrihet jo brenda ditës, por përgjatë viteve) është më i madh se sa aktiviteti fizik.
Një tjetër studim francez i botuar në revistën prestigjioze Human Reproduction, nënvizon faktin se obeziteti shoqërohet me më tepër efekte negative si për riprodhimin natyral ashtu edhe për atë artificial (IVF). Sipas këtij studimi:
- Femrat obeze kane më tepër rrezik për infertilitet dhe humbje të shtatzanisë nqs kjo arrihet natyralisht (në mënyrë spontane).
- Femrat obeze kur i nënshtrohen Fertilizimit In Vitro kanë nevojë për më tepër doza gonadotropinash për stimulim, kanë stimulim më të zgjatur, kanë më pak ovocite të aspiruara dhe më shumë anulime të ciklit. Pra më shumë shpenzime dhe më pak shanse për sukses.
- Ky ndikim negativ që ka obeziteti në femrat obeze është parë sidomos në rastet kur kemi transfertë të embrioneve të freskëta, ndërkohë që nuk është parë në rast se do të kemi transfertë të embrioneve të ruajtura në ngrirje. Ky “paradoks” nuk lidhet me embrionin, por me aftësinë receptive të mitrës (endometriumit) e cila gjatë stimulimit ovarian tek femrat obeze mund të reduktohet.